Lajmet

Ballina > Lajmet

Kompanitë Elnor, Shehu dhe Lesna prezantuan denjësisht Kosovën në Zvicër me prodhimet e drurit

Bazel, me 16 janar 2016

Kosova për herë të parë u prezantua në Panairin e sivjetmë të ndërtimtarisë Swissbau në Bazel të Zvicrës që u mbajt nga data 12 e deri me 16 janar 2016. Ishin tre kompani gjigante të prodhimeve të drurit Shehu, Lesna dhe Elnor të cilat u bën ambasadorët e parë që në mënyrë madhështore promovuan prodhimet dhe kualitetin që kanë kompanitë e Kosovës në një panair që është një prej më të mëdhenjve në Evropë.

Pjesëmarrje është një imazh i mirë për Kosovën, por i dobishëm edhe për vet kompanitë ku janë vizituar nga vizitorë të shumtë, por janë arritur edhe marrëveshje për bashkëpunim, duke ju hapur edhe më shumë dyert drejt tregut zviceran por edhe evropian.

Me kompanitë e Kosovës dhe me panairin nga afër u njohën edhe delegacioni nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë, udhëhequr nga ambasadori Mustafë Xhemajli, nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicër, të kryesuar nga kryetari Naser Mustafa dhe nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës të drejtuar nga Arieta Vula Pozhegu.

RTV Syri Blue ishte në Swissbau ku nga atje sjell opinionin e pjesëmarrësve për rëndësinë e pjesëmarrjes së kompanive nga Kosova në këtë panair, për pritjet dhe rezultatet që priten.

“Kemi ardhur të prezantojmë produktet tona, kryesisht prodhime nga druri, shkallë druri. Kemi filluar para pesë viteve me plasmanin e produkteve tona në tregun zviceran. Edhe këtë vit vendosëm me ardhur dhe me u prezantuar edhe në Swissbau në Bazel. Interesi ka qenë mjaftë i mirë, sidomos nga bashkatdhetarët që kohëve të fundit janë jo vetëm punëtor, por janë edhe ndërmarrës dhe interesimi ka qenë shumë i madh prej tyre. Gjithsesi ja vlen, vetëm ditët e para jemi bindur se ja vlen pjesëmarrja këtu, ka pasur shumë interesime dhe shumë kërkesa për oferta”, tha për RTV Syri Blue, Kreshnik Shehu nga kompania Shehu.

Albion Mahmuti përfaqësues dhe menaxher i prodhimit në Sh.P.K “LESNA”, thotë se ka pasur interesim të madh nga ana e vizitorëve për prodhimet e tyre.

“Është hera e parë që ne marrim pjesë në Swissbau, ku shihet një interesim i madh i qytetarëve të këtij vendi dhe i vendeve përreth që janë, sidomos shqiptarët që jetojnë dhe punojnë këtu të cilët janë shumë në numër. Lesna ofron një gamë të gjerë të produkteve, mirëpo produktet kryesore me të cilët ne prezantohemi në Swissbau janë prodhimet e dritareve të drurit, aluminit dhe të plastikës, si dhe dyer të dhomave”, theksoi përfaqësuesi i “Lesna”, Albion Mahmuti.

Sheqer Ukaj nga kompania Elnor për RTV Syri Blue tha se nga ky panair presin rezultate të mira.

“Kompania jonë prodhon kuzhina, karrige dhe tavolina të cilat i kemi sjellë edhe në këtë panair. Nuk është hera e parë që marrim pjesë në panaire të këtij niveli dhe në këto organizime. Më parë kemi marr pjesë edhe në Gjermani që nga viti 2006, në Zvicër jemi që nga viti 2011 dhe e kemi edhe kompaninë motër e cila është regjistruar këtu në Cyrih të Zvicrës nga e cila i marrim porositë për tregun zviceran të cilat procedohen dhe përpunohen në Kosovë dhe i sjellim. Gjithsesi ne presim rezultate të mira nga ky panair dhe normalisht gjatë këtyre ditëve kemi pasur kemi pasur kontakte të shumta me blerës dhe investitor të ndryshëm, me disa prej tyre kemi lidhur edhe marrëveshje të cilat do ti implementojmë në të ardhmen”, u shpreh përfaqësuesi i “Elnor”-it, Sheqer Ukaj.

Kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, Naser Mustafa e vlerëson si kryevepër pjesëmarrjen e kompanive nga Kosova në Swissbau. Sipas Mustafës, RRBSHZ-ja ka mirëpritur këtë ide, duke theksuar se një ide e këtillë është edhe në programën e tyre për organizimin e një panairi madhështor me pjesëmarrje të mbi njëqind kompanive nga Kosova.

“T’ju them sinqerisht jam i impresionuar dhe kjo pjesëmarrje në Zvicër e prodhimeve tona ka munguar dhe them është kryevepër që më në fund prodhimet tona nga Kosova vijnë në Zvicër në këtë panair, panair që është i njohur në tërë Zvicrën. Rrjeti i Bizneseve Shqiptare e ka mirëpritur këtë ide që kanë ardhur në Zvicër dhe në objektivat tona për 2016-ën, objektiven kryesore që e kemi në Programët tona e kemi të njëjtën ide, por me përmasa më të mëdha që jemi duke punuar në këtë drejtim dhe e kemi bërë organizimin e punës, çështjet ekzekutive dhe kontaktet me institucionet tjera që të njëjtën gjë RRBSHZ-ja të njëjtën gjë do ta bëje diku ka shtatori, një panair i cili do të jetë plasmani i gjithë mallrave nga Kosova, mendojmë diku 100 kompani”, thekson Mustafa.

“Ju thash edhe organizatorëve që le të jetë si tradicionale, por në vitet e ardhshme do të mundohemi që të mobilizohemi të gjithë. Ne si RRBSHZ, jemi munduar që të mobilizojmë të gjithë ata anëtarë që i kemi në rrjetëzimin tonë dhe në këtë drejtim edhe ne e kemi bërë dhe e kemi dhënë një kontribut. Por, në të ardhmen kërkova nga organizatori që në fillim të organizohemi më mirë dhe kështu që përveç tre që kanë ardhur kësaj radhe, pse të mos jenë tridhjetë e më shumë. U njoftova që është një kosto shumë e madhe, por do të mundohemi që të jemi donator, e në këtë drejtim RRBSHZ-ja të ketë një rrejt i cili do të mundohet edhe burimet e donatorëve disi ti gjejmë”, tha kryetari i RRBSHZ-së, Naser Mustafa.

E ndërkaq ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Mustafë Xhemajli dha se kompanitë pjesëmarrëse në Swissbau kanë bërë prezantim dhe përfaqësim të denjë të prodhimeve të Kosovës para vizitorëve.

“Është një rast shumë i mirë i kompanive prodhuese të drurit të Kosovës të cilët kanë marr pjesë me prodhimet e tyre në bazë kritereve dhe kualitetit. Sigurisht është kualitet i lart që kërkohet për këtë panair i cili panair është ndër më të mëdhat në Europë për prodhime të ndryshme dhe prodhues të ndryshëm. Në këtë rast Kosova ka përfaqësuar në mënyrë të denjë prodhuesit e drurit dhe kualitetin e prodhimeve të firmave të ndryshme, në këtë rast të tre firmave që kanë ardhur këtu. Me këtë rast ata kanë dëshmuar ashtu siç shihet nga vizitat, nga interesimet e ndryshme të ndërmarrësve të ndryshëm, të kërkesave profesionale, nga arkitektët e ndryshëm të cilët kanë ardhur dhe e kanë parë punën e tyre, kanë dëshmuar se nga Kosova po eksportohet kualitet i lart i prodhimeve të drurit dhe dëshmohet se ne Kosovë ka mundësi reale të prodhimit të produkteve të kualiteteve të larta që kanë standarde të kohës, sipas standardeve Europiane dhe kërkesave aktuale në këtë rast të prodhimeve të drurit të cilat i përfaqëson Kosova”, theksoi për RTV Syri Blue, ambasadori i Kosovës, Mustafë Xhemajli.

Arieta Vula Pozhegu, drejtoresh e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit te Kosovës tha se vendet gjermano folëse janë potencial për shitjen e produkteve të Kosovës.

“Dëshira ka qenë e kompanive për të marr pjesë në panair të Zvicrës, për shkak se Zvicra është konsideruar dhe në përgjithësi vendet gjermanfolëse ku konsiderohen si vende shumë interesante dhe potenciale për shitjen e produkteve tona, për shkak se diaspora jonë është shumë prezent në këto vende dhe ne presim në bashkëpunim të mirë. Prandaj ka lindur nevoja dhe kërkesa prej kompanive duke e parë se kanë filluar që këto dy – tre vite eksportojnë diçka në Zvicër dhe ka lindur kjo nevojë që të jemi prezent me një eksponat, të njihemi më shumë, të promovohemi”, thekson Arieta Vula Pozhegu nga SHPDK-ja, duke vazhduar se “Kemi takime shumë të mira me kompani të ndryshme si bashkëpunëtor, mirëpo që thuhet bashkimi bën fuqi, e kisha potencuar se bashkëpunimi me ambasadën, me RRBSHZ-në, gjitha këto e bëjnë që pjesëmarrja jonë të jetë shumë e promovuar. Kemi pasur vizitorë nga më të ndryshmet dhe kjo ka bërë që edhe ne të jemi konkret me kontrata shumë të afërta prej tre kompanive dhe presim rezultate shumë të mira. Këto tre firma do të jenë një referencë e mirë edhe për kompanitë tjera që sot nuk janë prezentë dhe do të ishte mirë të jenë për shkak se kanë produkte të mira dhe kualitet. Këto tre kompani kanë prirë për herë të parë në këtë panair dhe do të jenë një referencë e mirë në bazë të rezultateve edhe për kompanitë tjera në Kosovë”, tha për RTV Syri Blue drejtoresha e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës, Arieta Vula Pozhegu.

Vlerësimi i përgjithshëm është viteve të ardhshme do të rritet numri i kompanive pjesëmarrëse dhe kjo do të jetë një nxitje për prodhuesit tjerë që të ngrisin kualitetin dhe të provojnë dhe ekspozojnë prodhimet e tyre në panairet e mëdha nëpër vende e ndryshe të Evropës siç është edhe Swissbau.

Kasam Selimi /RTV Syri Blue

Marketing

Previous slide
Next slide