Të premten, më 03 qershor 2022, në Dietikon (ZH) u mbajt takimi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër (RRBDSHZ) me afariste dhe afaristë shqiptarë.
Kryetarja e RRBDSHZ-së zonja Merita Pinta, përshëndeti të pranishmit dhe prezantoi rrjetin ku paraqiti një raport të shkurtër të aktiviteteve.
Pikë atraktive e mbrëmjes ishte gjithsesi prezantimi i një storje suksesi, ku para të pranishmëve u paraqit Presidenti i Bordit të RRBDSHZ-së, njëherësh Kryetar Nderi, Fehmi Fetahi, afarist i suksesshëm në Zvicër dhe në Kosovë, shkruan albinfo.ch. Z. Fetahi, pronar i Fetaxid AG në Zvicër dhe i Vali Ranch Resort & Congres Center në Gjilan, rrëfeu historinë e tij të suksesit, por edhe gabimet gjatë rrugëtimit të tij plot sfida.
Nënkryetari i RRBDSHZ-së, z. Rexhep Berisha, importuesi kryesor i prodhimeve ushqimore në Zvicër, nga trevat shqiptare, pasi prezantoi shkurt biznesin e tij, apeloi tek të pranishmit që të anëtarësohen në RRBDSHZ dhe të kontribuojnë në arritjen e objektivave të rrjetit.
Në vazhdim u prezantuan shkurt anëtarët e Kryesisë së rrjetit: Zonja Teuta Kerhani-Rifati, afariste, z. Anton Nikolla, afarist, z. Afrim Veliu, arkitekt, z. Kujtim Krasniqi, afarist, zonja Lirije Veselaj, afariste dhe z. Ylli Doko, afarist, si dhe dy këshilltarët e rrjetit, z. Sevdail Tahiri, Drejtor i platformës Albinfo.ch onlin&print, këshilltar për media, dhe z. Nazmi Jakurti, Jurist Mediator, këshilltar juridik.
Mundësia i’u dha për tu prezantuar edhe bizneseve të cilat ishin të ftuara në këtë takim.